Itali Amvisët italianë në një përparëse kuzhine

Në këtë tokë që tradicionalisht është njohur si “macho”, Fiorenzo Bresciani me kënaqësi vesh mbështjellësen e kuzhinës, shkund çarçafët dhe kalon me orë të tëra duke hekurosur. Kur gruaja e tij, mjeke, kthehet në shtëpi e lodhur nga puna e ditës, Bresciani e ka gatuar darkën dhe e ka servirur në tavolinë. “Italia është duke ndryshuar”, thotë ai

Përgjatë vijës së hollë të fshatit Tuscan gjendet një shtëpi mjaft e pastër dhe e rregulluar, me një amvise të jashtëzakonshme: burrin.
Në këtë tokë që tradicionalisht është njohur si “macho”, Fiorenzo Bresciani me kënaqësi vesh mbështjellësen e kuzhinës, shkund çarçafët dhe kalon me orë të tëra duke hekurosur. Kur gruaja e tij, mjeke, kthehet në shtëpi e lodhur nga puna e ditës, Bresciani e ka gatuar darkën dhe e ka servirur në tavolinë.
“Italia është duke ndryshuar”, thotë ai. “Ndryshimet ekonomike nënkuptojnë se burrat italianë janë duke i rregulluar krevatët, janë duke hekurosur dhe janë duke pastruar me thithëse pluhuri. Mendojmë se është koha të ndryshojmë mënyrën se si dhe çka mendojnë njerëzit për punët e shtëpisë ” t'i bëjmë ata t'i respektojnë ato më shumë”.
Për të qenë më i qartë, Bresciani ka insistuar që autoritetet e qytetit ta shënojnë profesionin e tij në letrën e njoftimit si “amvis”.

Për të njohur dhe për të nxitur këtë ndryshim në shoqërinë italiane, Bresciani ka themeluar “Asociacionin e Amvisëve”, që tanimë ka rreth 4.000 anëtarë (burra) që mendojnë njëjtë si ai dhe që qepin, këmbejnë reçeta, dhe i tregojnë njëri-tjetrit për teknikat e ndryshme të hekurosjes.
Ky grup është duke u bërë më shumë se një pikë e takimit të burrave italianë. Grupi tërheq burrat e pamartuar, të cilët dikur mbështeteshin në stilin e famshëm stereotip italian “mamma”, si dhe burrat e ndarë të cilët deri tani asnjëherë nuk kanë rregulluar krevatin. Asociacioni në Itali reflekton edhe lloj-llojshmëri më të gjërë demokrafike të gjinisë mashkullore.
“Punët e shtëpisë kam filluar t'i bëj nga nevoja”, thotë Lino Bacci , një amvis veteran 62-vjeçar, i cili për herë të parë ka mbajtur mbështjellësin e kuzhinës në vitin 1971, për të ndarë barrën me gruan e tij që ka punuar si motër medicinale. “Mirëpo, më vonë fillova të ndjej kënaqësi duke e bërë atë. Dhe, mund ta paramendoni, gruaja ime tani është më e relaksuar. Kjo gjë i bën të gjitha gjërat më mirë”, thotë ai duke buzëqeshur, “përfshirë edhe jetën intime”.
Madje edhe burrat më të fuqishëm të Italisë janë duke u veshur me mbështjellës të kuzhinës, gjithnjë e më shumë dhe me vetëdëshirë. Sipas gazetës italiane “Corriere della Sera”, Romano Prodi, kryetar i Komisionit Evropian, dëshiron të shkojë në 'shopping' dhe të krahasojë çmimet e detergjentëve. Ai rregullon edhe krevatin. “Së pari e çrregulloj tërësisht, pastaj e vendosi çarçafin, rrafshoj dhe rregulloj mirë, duke i larguar vijat e ashpra që natën mund të jenë mjaft shqetësuese”, citon gazeta ish-kryeministrin italian.
Për burrat e rinj në realitetin e shtëpisë dhe amvisërisë, në Milano është duke u organizuar një kurs për “Menaxherë të shtëpisë”. Orët e kursit përfshijnë mësime në hekurosje, larje dhe shpëlarje, ekonomi shtëpiake, psikologji shtëpiake dhe fitnes shtëpiak. Me qindra kandidatë, 70 për qind të të cilëve janë burra, kanë konkurruar për 30 vende të lira. Organizatorët thonë se ka gjasa të shtohen orët që të plotësohet nevoja.
Ligjërues në orët për hekurosje është Fiorenzo Bresciani . Në qytetin e tij, ai me krenari e tregon librin e tij të përgatitur për studentët, që përfshin historinë e hekurosjes, teknika të ndryshme të hekurosjes dhe këshilla për të parandaluar dhimbjen e shpinës gjatë hekurosjes.
“Shumë burra vijnë fshehtas dhe pranojnë se janë amvisë”, thotë Bresciani. “Duket sikur ata kanë bërë ndonjë mëkat, dhe se me neve mund ta diskutojnë atë. Duhet të shihni se sa janë të kënaqur, të qetësuar dhe falënderues”.
Një pjesë tjetër janë burra që sapo janë ndarë nga gruaja dhe janë të ballafaquar me punë të shtëpisë për herë të parë.
Ndarja në Itali është legalizuar në vitin 1970 dhe, deri para do kohe, përqindjet e ndarjeve kanë qenë ndër më të ulëtat në Evropë. Mirëpo, sipas të dhënave të fundit nga qeveria italiane, ndërmjet viteve 1995 dhe 2001 ndarjet janë rritur deri më 48 për qind. Për çdo çift që ndahet, dy çifte tjera janë në rrugë drejt ndarjes, formalisht duke e regjistruar 'ndarjen' e tyre.
Kërcënimi në rritje për modelin tradicional familjar i ka shkaktuar brengë aq të madhe Papës, sa që ai i ka ftuar avokatët katolikë në vitin 2002 për të bojkotuar ndarjen, të cilën ai e ka përshkruar si të “keqe”.
Si rezultat i kësaj, presionet ekonomike nënkuptojnë se italianët janë duke u martuar vonë e më vonë. Me paraqitjen e “familjeve njëanëtarëshe”, gjatë viteve të '90-ta, personat e vetëm kanë përgatitur ushqimet dhe kanë mbushur vetëshërbimet duke blerë gjëra të nevojshme për amvisëri.
“Gratë janë së pari të interesuara për karrierë, pastaj për fëmijë”, ka thënë Franco Ferrarotti, profesor i sociologjisë në Universitetin La Sapienza në Romë. ” Kjo është duke shkaktuar një ndryshim të madh shoqëror”.
“Imazhi tradicional i 'mamma”-s italiane, i devotshëm dhe i fuqishëm është duke u venitur. Dhe burrat nuk mund ta luajnë më rolin e autoritetit”, thotë psikologu Piero Rocchini.
Asociacioni i Amvisëve thotë se tani ka dyfish më shumë anëtarë se sa vitin e kaluar, shumica e të cilëve kombinojnë rolin e tyre të ri me punët konvencionale ditore. Ata kanë krijuar një sërë mjetesh që mbajnë emrat e tyre ose markat e tyre, duke përfshirë edhe mbështjellësit e kuzhinës dhe kanotieret.

Disa nga amvisët tradicionalë italianë janë skeptikë rreth entuziazmit të ri të burrave rreth obligimeve shtëpiake. “Duket se është lajmi i mirë nëse burrrat janë duke mësuar t'i bëjnë gjërat, të cilat gratë i kanë bërë me shekuj”, thotë Filomena Buratti. “Mirëpo ata e mashtrojnë veten nëse mendojnë se kjo ë shtë shkencë. Kjo është vetëm punë e rëndë”, përfundon ajo. (CSMonitor)

Articolo Tratto da: http://www.lobi.com.mk/default.asp?pBroj=155&stID=5500

Condividi questo articolo